Gërxhaliu rrëfen për identifikimin e trupave të familjes Jashari

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka rrëfyer për identifikimin e trupave të familjes Jashari gjatë zhvarrimit të tyre në vitin 2002.

Ai ka thënë se deri në vitin 2002, më shumë se 2 vjet pas luftës në Kosovë, ekipit kosovar iu lejua të punonte vetëm në pak varreza, për shkak se deri në atë kohë kjo punë kryhej nga ekipet e Tribunalit të Hagës.

Duke folur për zhvarrimin e tyre dhe identifikimin e trupave, Gërxhaliu në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se ka pasur gabime gjatë varrimit të mëhershëm për shkak se varrimet u kryen nga njerëz të fshatrave tjerë e që s’i kanë njohur të gjitha viktimat.

“E dimë se kur janë varrosur janë kryer varrimet nga njerëz që s’i kanë njohur ndoshta. Në mungesë të familjes ka mundur me pas edhe gabime. Ka pas gabime, me epitafe emri i tjetër kujt që i ka dalë tjetër kujt. Rivarrimin e kanë kryer banorët e fshatrave përreth. Familja Jashari ishte këmbëngulëse që të bëhet identifikimi i saktë nga vendorët. Gjykata sapo kishte filluar të punonte. Për hapjen e një varri nevojitet urdhëresa. S’mund të sigurohej, por këmbëngulja dhe autoriteti i tyre shkoi rasti deri te udhëheqësi i komponentës së juridiksionit me ç’rast arritëm të hapnim varret”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka vazhduar se ky proces u krye për 13 ditë. Ai ka thënë se shiu i pandalshëm bëri shumë baltë dhe solli vështirësi në punë, por ka thënë se çdo gjë ka përfunduar me sukses dhe janë ruajtur të gjitha punët përmes fotografive e incizimeve.

“Kemi punuar me forcat tona. I kemi mbi 600 fotografi. Çdo gjë është e ruajtur. Në arkivin tonë janë të gjitha. Kemi kërkesën nga prokuroria speciale për kompletimin e dokumentacionin. Për ta asnjëherë s’ka pasur një rast gjyqësor. E dimë si kanë pësuar ata nga fëmijët e deri te pleqtë”, ka thënë ai.

Kur është bërë zhvarrosja, sipas Gërxhaliut, trupat e viktimave ishin në fazën e skeletizimit.

Ai ka thënë se ekipi që punoi në zhvarrosje nuk e kishte të lehtë punën.

“Ekipi s’e kishte të lehtë. Para të gjithash ishte nder i madh të punosh te ajo familje. E aq më tepër që edhe pjesa e gjallë s’na la për asnjë minutë vetëm e na ndihmonin gjatë gjithë kohës me zhvarrosje, lopata, bartje e me kujdesin ndaj neve. Me të vërtetë e kemi përjetuar madhështinë e asaj familjes. Kur i tejkaluan dhimbjen vetëm për të pasur kujdes ndaj neve. E dinim me kënd po punonim e aq më shumë kur bëhet fjalë për 59 varreza. Punë e madhe por vullneti i madh bëri që puna të përfundojë mirë. Janë identifikuar edhe me bazë shkencore”, ka thënë ai duke vazhduar se edhe varrimi i fundit ka një renditje që nis me familjen dhe rrethin e ngushtë të komandantit Adem Jashari e deri te nipat dhe mysafirët që ishin në kohën e sulmeve.

“Është rast unik në botë. E kujtoj dhe nga ajo që kam lexuar është rast unik në botë në kuptimin e sakrificës, luftës treditore me tërë anëtarët e familjes. Siç thonë i kanë pritur sulmet, por jo në këtë format të gjerë”, ka përfunduar Gërxhaliu.