Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, në një intervistë për transmetuesin kanadez, deklaroi se ajo nuk i beson presidentit rus, Vladimir Putin, pas raportimeve se ai është i gatshëm ta ndalë luftën në Ukrainë nëpërmjet një armëpushimi të negociuar.

“Më lejoni të jem shumë skeptike për ofertat që po bën Putini sepse duke pushtuar një vend fqinj, dhe duke bërë luftë brutale që po bën në Ukrainë është sinjal që ne duhet të llogarisim çdo shkatërrim që Putini do jetë në gjendje të bëjë, jo vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj Evropës dhe Perëndimit si një e tërë”, deklaroi shefja e diplomacisë kosovare në një intervistë të fundit.

“Pra, unë besoj se e vetmja mënyrë për ta përfunduar këtë luftë në mënyrë që të mos kemi nevojë të kemi frikë nga pasojat për rajonet e tjera në Evropë është që Ukraina të fitojë këtë luftë dhe që Rusia e Putinit ta humbasë këtë luftë. Çdo zgjidhje tjetër do të ketë pasoja të forta, jo vetëm për në në Ballkanin Perëndimor, po në të gjithë Evropën”, shtoi ndër të tjera Gërvalla-Schwarz.