Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk i beson deklarimit të ish-Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, se ky i fundit kishte biseduar me terroristin Milan Radojiçiq e ku prezentë sipas tij kanë qenë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

“Ka harruar, ndoshta ka qenë më dikë tjetër nuk i kujtohet. Ka ca situata kur kujtesa të mashtron. Unë nuk mbaj mend në një situatë të tillë. Nuk ka pasur situatë kur Pacolli paska qenë vetëm me kryeministrin dhe presidenten, nuk më kujtohet një situatë e tillë”, tha Gërvalla në një intervistë në Kanal 10.

Tutje, gjatë kësaj interviste, ajo ka theksuar se nuk e ka në plan ta shkarkojë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin mediat sllovene gjatë vitit të kaluar raportuan se është i përfshirë në një skandal të madh financiar.

“Nuk kam asnjë kërkesë për shkarkimin e ambasadorit Berishaj, nuk shkarkohet ambasadori për një lajm në media dhe për një spekulim, është papërgjegjësi totale. Nëse unë adresoj në institucione të tre shteteve që përmendën në ato spekulime dhe nuk kam asnjë fakt, unë do ta quaj spekulim”, shtoi.

“Nuk ka asgjë deri sot për ambasadorin Berishaj, por veç fushata denigruese. Në rastin e ambasadorit Berishaj është tepruar, ata që i kanë këto pretendime le të na sjellin faktet. Berishaj ka shkuar është paraqitur në prokurori dhe në komisionin hetimor parlamentar”.

Kryediplomatja kosovare ka potencuar se Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, disa herë ia ka mbajtur “anën Serbisë” në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Kemi palën ndërmjetësuese të përfaqësuar nga Miroslav Lajçak cili me strategji të gabuar dhe me një mungesë totale të strategjisë së dialogut e ka quar këtë dialog deri në dështim. Shumë shpesh ka qenë i njëanshëm dhe ia ka mbajtur anën Serbisë dhe shumë shpesh propozimet e tij kanë qenë të destinuara të dështojnë”.

Gërvalla ka shtuar se qasja e BE-së ka qenë e “butë” në raport me Serbinë pas sulmit terrorist të vitit të kaluar në fshatin Banjskë të Zveçanit ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Nuk pati asnjë lloj ndëshkimi për Serbinë për aktet e dhunës. Rreshteri Bunjaku e humbi jetën duke e mbrojtur sovranitetin e vendit. Banjska ndodhi për shkak të mos reagimit të institucioneve ndërkombëtare në raport me dhunën që e solli në Kosovë përmes huliganeve Vuçiçi”.

Kur është pyetur dërgimin eventual të draftatusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Qeveria në Gjykatën Kushtetuese, ajo ka theksuar se “Kushtetuesja nuk pranon drafte”.

“Ne nuk dërgojmë drafte në Gjykatë Kushtetuese sepse Gjykata Kushtetuese nuk pranon drafte dhe nuk shqyrton. Një draft i tillë dërgohet vetëm kur përvetësohet nga Qeveria. Nuk lëvizim dot, kemi ofruar që të punojmë vet një dokument që do të respektonte nevojat e qytetarëve tanë në Veri, por nuk kemi gjetur një gatishmëri”, përfundoi ajo.