Gërvalla-Orlando për thellimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Itali

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla priti sot në një takim ambasadorin italian në Prishtinë Nicola Orlando, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin dypalësh dhe nevojën e zgjerimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike.

Ministrja Gërvalla falënderoi ambasadorin Orlando për mbështetjen e pakursyer të Italisë për Kosovën, në veçanti për përkrahjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimit në NATO.

“Marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe Italisë janë të shkëlqyeshme, mirëpo duke pasur parasysh miqësinë e vjetër midis popujve tanë, mund të bëhet edhe shumë më tepër në thellimin e raporteve tona, në fushat të ndryshme, në të mirën e të dyja vendeve tona”, tha Gërvalla.

Në takimin me ambasadorin Orlando, ministrja Gërvalla foli edhe për situatën aktuale me COVID-19, si dhe nevojën për ndihmë, në mënyrë që edhe Republika e Kosovës ta luftojë këtë pandemi në hap me shtetet tjera evropiane.