Nuk ka kaluar shumë kohë prej kur Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi se nuk e lusim Greqinë ta njohë shtetin tonë. Megjithatë, ajo sot ishte pjesë e një takimi, ku së bashku me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani iu kërkua njohja Greqisë si nevojë e shtetit të Kosovës. 

Kishte thënë se “nuk e lusim” Greqinë për njohje, por Gërvalla sot ishte pjesë e një takimi ku Greqisë iu kërkua sërish njohja e pavarësisë së Kosovës.

Kjo u bë e ditur në një postim të cilin e ka shpërndarë vetë Kurti në llogarinë e tij në Twitter, ku e konfirmoi një gjë të tillë.

“Greqia është një faktor shumë i rëndësishëm për rajonin tonë, NATO-n dhe BE-në. Me presidenten Osmani dhe ministren Gërvalla takuam kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Ne ndajmë të njëjtat vlera, qëllime dhe interesa ekonomike dhe kemi nevojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Gërvalla jo shumë kohë më parë deklaroi se nuk do ta lusin Greqinë që ta njoh Kosovën, deklaratë kjo që kishte marrë reagime të shumta pasi u konsiderua jodiplomatike dhe injoruese.

“Ne nuk po lutemi, pasi jemi njohur tashmë nga shumica e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, duke përfshirë anëtarët kryesorë. Jo vetëm për Kosovën, por për rajonin më të gjerë, do të ishte një veprim racional nëse pesë anëtarët e mbetur të BE-së do ta njihnin situatën aktuale në Ballkan”, kishte thënë ajo.