Gërvalla: Nuk do të kemi ministra nga Lista Serbe

Donika Gërvalla nga Lista Vjosa thotë se në Qeverinë Kurti nuk do të ketë ministra nga Lista Serbe, që sipas saj, janë përfaqësues të Beogradit. Ajo thotë se ministrat serbë që do të qeverisin me VV-në sipas Kushtetutës së Kosovës, do të jenë përfaqësues të komunitetit serb dhe jo të Serbisë.

“Lista serbe nuk do të jetë pjesë e qeverisë Kurti. Pjesë do të jenë pakicat joserbe dhe qeveria në bazë të Kushtetutës ka nevojë për përfaqësimin serb në sektorë të caktuar dhe në bazë të bisedave do ketë përfaqësues serbë por jo përfaqësues të Beogradit. Ai ministër nuk do të jetë nga Lista Serbe, do të jetë përfaqësues i komunitet serb të Kosovës dhe jo përfaqësues i Beogradit”, tha ajo në DESKU.

Gërvalla tha se qasja e Kosovës ndaj serbëve në vend duhet të ndryshojë, përndryshe nuk do të zgjidhet çështja mes dy shteteve fqinje.

“Duhet të jemi të qartë se bisedimet tona me Serbinë duhet të gjejnë zgjidhje në marrëdhëniet e fqinjësisë por jo zgjidhjen në marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me qytetarët e saj serbë. Serbët e Kosovës duhet të trajtohen si qytetarë tanë. Duhet të ndërrojmë qasjen ndaj serbëve të Kosovës dhe ndaj Beogradit”, tha Gërvalla.