Gërvalla nga Berlini: Kosova do të vazhdojë të përpiqet për ta çrrënjosur dënimin me vdekje

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të mbështesë përpjekjen globale për ta çrrënjosur dënimin me vdekje.

Këtë deklaratë kryediplomatja e Kosovës e ka bërë nëpërmjet një postimi në ‘Twitter’, i cili ndan detaje për pjesëmarrjen e saj në Kongresin Botëror kundër Dënimit me Vdekje. Siç njofton Gërvalla, në Berlin është takuar me kryediplomaten gjermane, Anna Baerbock, si dhe ministrin gjerman të Drejtësisë, Marco Buschmann.

“Më vjen mirë që mora pjesë në Kongresin Botëror kundër Dënimit me Vdekje në Berlin me ftesë të koleges sime të dashur gjermane, Anna Baerbock dhe ministrit të Drejtësisë, Marco Buschmann. Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e përpjekjes globale për të çrrënjosur dënimin me vdekje”, ka shkruar ajo në ‘Twitter’.

Ky kongres do të mbahet nga 15 deri më 18 nëntor.

Kosova është në mesin e vendeve që në Kodin Penal nuk e ka dënimin me vdekje.