Takimi i bilateral

Gërvalla në Munih takon zyrtaren e Gjermanisë: Flasin për sigurinë në Kosovë

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka takuar edhe sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Situata e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, partneriteti në shumë fusha dhe mbështetja në fushën e sigurisë ishin temat kryesore të takimit që zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, pati në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Susanne Baumann”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjatë takimit bilateral, Gërvalla thuhet se vuri në pah veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave konkretë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Siguria nacionale dhe globale si dhe rreziqet me të cilat po përballet ajo janë sfida të të gjitha shteteve dhe vetëm me një bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të përbashkëta mund të arrijmë që të krijojmë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në botë”, citohet Gërvalla.

Gërvalla ka zhvilluar një takim bilateral edhe me sekretarin e Vatikanit për marrëdhënie me Shtetet, Imzot Paul Richard Gallagher.

Sipas njoftimit të MPJD-së përparimi i dukshëm në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Vatikanit dhe bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët ishin temat kyçe të takimit mes tyre.

Gjatë këtij takimi, thuhet se ministrja Gërvalla e njoftoi atë rreth progresit të Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, zhvillimin ekonomik, situatën në Ballkanin Perëndimor si dhe proceset integruese nëpër të cilat po kalon Kosova.