Gërvalla kujton Salih Çekajn, nuk e përmend askund UÇK-në

Kryediplomatja Donika Gërvalla vazhdon të mos e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, vazhdon ta shfaq urrejtjen e saj për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në 23-vjetorin e rënies heroike të Salih Çekaj, Gërvalla nuk e ka përmendur askund Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht se Çekaj kishte rënë heroikisht me uniformën e UÇK-së, shkruan Demokracia.com.

“Sali Çekaj ishte një strateg i rrallë politik, njeri i lirisë dhe drejtësisë. Nuk u ndal asnjë herë së luftuari për lirinë e Kosovës. Fillimisht luftoi me mjete politike nga Deçani dhe më pas nga Mërgata dhe në fund edhe me pushkë në krah. Sali Çekaj dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij dhe të të gjithë të rënëve për liri. Ai e dëshironte një Kosovë me dinjitet. T’ia kthejmë së bashku dinjitetin vendit tonë. Ta bëjmë krenar Sali Çekajn dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. T’i bëjmë krenarë për Kosovën e tyre”, ka shkruar Gërvalla ndër të tjerash në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.