Gërvalla: Kosova aplikon këtë vit për anëtarësim në BE

Në Sofje të Bullgarisë po mbahet Forumi BE-ja dhe Ballkani, ku po marrin pjesë ministra të vendeve të Balllanit dhe zyrtarë e ish zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Mes  tyre në këtë forum është edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Në fjalën e saj ajo tha se Kosova duhet të bëjë përpara në procesin e liberalizimit të vizave dhe kjo sipas saj, tashmë thjesht duhet të ndodhë.

“Nuk ka më asnjë sqarim sidomos tani pas zgjedhjeve në Francë dhe shpresoj se të gjithë partnerët dhe aleatët tanë do të ndihmojnë  të lëvizet përpara”, tha Gërvalla.

“ Por, liberalizimi i vizave nuk është qëllimi kryesor i Kosovës”.

Me këtë rast, Gërvalla tha se qëllimi kryesor i Kosovës është antarësimi i plotë i vendit në BE dhe për këtë, shteti i Kosovës është duke punuar.

“Kur flasim për Kosovën e cila ka një rrugë ndryshe nga vendet  e tjera të Ballkanit Perëndimor, kjo duhet të ndryshojë sepse Kosova këtë vit do të aplikojë për vend kandidat për anëtarësim në BE dhe do ta shohim pastaj se sa serioze është BE-ja, në adresimin e fakteve dhe sfidat që Kosova duhet  t’i kalojë që të bëhet anëtare e unionit”, tha kryediplomatja kosovare, raporton RTKlive.com.

“Por mendoj se BE-së nuk i duhet një luftë, që të kuptojë rëndësinë që sjell mos zgjerimi. Unë e kuptoj shumë mirë”.

Ajo tha se mesazhi për vendet e Ballkanit duhet të jetë shumë i qartë.

“Ne kemi parë se duhet unitet brenda BE-së për atë se çfarë vendet anëtare duan e çfarë nuk duan. E një nga mesazhet kryesore duhet të jetë se nuk ka integrim në BE pa vlera të BE-së”, tha ajo, raporton RTKlive.com

“Kjo duhet të mbetet edhe pse tani kemi një luftë e cila na shtynë ne, më shumë drejt shkatërrimit të procesit”.

Ajo shprehu pajtimin se nuk duhet të tingëllojë se është çështje teknike të jesh pjesë e BE-së sepse BE-ja është projekt shumë i suksesshëm ekonomik, projekt i paqes, dhe projekt politik.

“E Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e këtij projekti politik.Projekt që ka vendosur të mos ketë më luftë brenda BE-së dhe Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e tij”.

Në këtë forum po marrin pjesë Olivér Várhelyi, komisionar i BE-së për zgjerim, Federica Mogherini, ish shefe e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, ministrat e punëve të jashtëm të Ballkanit dhe zyrtarë të institucioneve të tjera të BE-së.