Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka quajtur “përpjekje të dëshpëruara” e “sulme të reja”, raportimet se kanë humbur  406 pasaporta të mërgimtarëve, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie.

Sipas saj, këto janë tendenca për ta manipuluar publikun.

“Qenkan aktivizuar me të madhe ata që ua mbyllëm derën e mashtrimit, keqmenaxhimit, ryshfetit, korrupsionit dhe blerjes së gradave diplomatike,  me sulme të reja të mbështetura në dezinformata, duke publikuar tituj që reflektojnë dëshirën e tyre dhe të financuesve të tyre për ta parë Kosovën të dëmtuar e të njollosur, por jo realitetin e ri ku ligji tashmë sundon në tërësi”, ka shkruar Gërvalla në rrjetin social “Facebook’.

Teksa shtoi se “këto deklarata nuk janë asgjë më shumë se shpifje të turpshme dhe përpjekje të dëshpëruara për të manipuluar opinionin publik”.

Ngjashëm siç u theksua në përgjigjen e MPJD-së, Gërvalla tha se asnjë dokument s’ka humbur.

Teksa, fajin për zgjedhjen e operatorit e ka hedhur tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“Bëhet fjalë për një vonesë në mbërritjen e tyre në destinacion e përcaktuar – çështje kjo të cilën MPJD e ka adresuar me vendosmëri tek organet kompetente dhe duke e shkëputur kontratën me operatorin, i cili përkundër refuzimit të bazuar të MPJD-së, ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe jo nga MPJD”.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar pas humbjes së 406 pasaportave të mërgimtare duke thënë se ndonëse u pagua gjashtë fish më shtrenjtë, sërish shteti dështoi.

Ajo ka thënë se këto pasaporta e 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie s’dihet se ku janë.

“Ministria e Punëve të Jashtme, e nënshkruan një kontratë për dërgesa (postë) 4fish më shtrenjtë se aplikuesit e tjerë, me procedurë të dyshimtë, PËR KËTË PUNË: Që këto dokumente të vijnë në kohë”.

“Edhe pse shteti paguan gati 6fish më shumë, dështon. Si në gjithçka tjetër! E prej këtyre pastaj të presim njohje e raporte të mirëfillta diplomatike?”, ka shkruar Kica në rrjetin social ‘Facebook’.

Edhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), kur s’mund të menaxhojë as postën diplomatike për njohje e anëtarësime të reja nuk bëhet fjalë.

“Kaq të paaftë që janë. Për njohje e anëtarësime as nuk bëhët fjalë. Këta nuk janë në gjendje, as postën dipiomatike me e menaxhu. Këta veç dëm bëjnë”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar se ka pasur vonesa në dërgimin e dokumenteve jashtë vendit brenda afateve të caktuara, por se dokumentet nuk janë humbur.

Këshilltari politik i ministres, Leutrim Sahiti, në një përgjigje për Albanian Post, bëri të ditur se operatori ekonomik “AL DUSHI SH.P.K” ka shkaktuar vonesa të papranueshme, për çka janë ndërmarrë masa ndaj të njëjtit.

“Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, ka thënë Sahiti për Albanian Post.

Ndërsa, theksuan se dokumentet të cilat s’kanë arritur që të dërgohen në kohë në destinacionet e caktuara, s’kanë humbur.

Të premten, është raportuar në media se kontrata me operatorin ekonomik “AL DUSHI SH.P.K”, është ndërprerë për shkak të faktit se kanë humbur 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie të cilat s’kanë arritur në destinacionet e caktuara.

Këto mbi 400 pasaporta kishin pasur destinim 12 vende të huaja ku jetojnë shtetasit kosovar.