Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas mbledhjes së Këshillit Prokurorial i Kosovës, në të cilën Arian Gashi u zgjodh kryesuesi i këtij institucioni.

Ajo tha se zgjedhja e kryesuesit kontribuon në zbatimin e reformës në drejtësi që, sipas saj, është nisur prej kohësh nga institucionet e vendit për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe një sistemi prokurorial funksional.

Sipas saj, funksionalizimi i plotë i Këshillit Prokurorial është thelbësor për zbatimin dhe thellimin e reformës në drejtësi, si dhe për forcimin e pavarësisë, integritetit dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial.

Gërvalla theksoi se pret që përbërja e re e Këshillit të kontribuojë me përgjegjësi në avancimin e mëtejshëm të reformës dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vend.

“Shteti ligjor është realitet vetëm kur ligji dhe drejtësia sundojnë mbi çdo ndikim tjetër”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë.