Gërvalla flet për progres në heqjen e vizave, s’e thotë asnjë fjalë për kushtin e Francës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave ka shënuar një hap shumë të rëndësishëm përpara. Por, ajo nuk e ka thënë asnjë fjalë për kushtin e Francës, që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ajo ka theksuar se Grupi për Viza e ka mirëpritur përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht dhe ka përkrahur vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas saj, s’ka pasur as kundërshtime e as kontestime, por vetëm janë ngritur disa çështje teknike.

“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, ka shkruar Gërvalla.

Postimi i plotë:

Sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara. Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm.

Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt.

Ne e mirëpresim vendosjen e çështjes së vizave në agjendë të Këshillit, për herë të parë në këtë formë. Po ashtu falënderojmë Kryesuesen e rradhës të Këshillit, Republikën e Çekisë, për angazhimin që procesi të ecë përpara sa më parë. i jemi falendërues vendeve anëtare që shprehin përkrahje për procesin që do duhej përmbyllur me heqjen e barrikadave të izolimit për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh.