Gërvalla e Lajçak optimistë për suksesin e dialogut, Daçiq kërkon Asociacion

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, janë shprehur optimistë se mund të ketë zhvillime të rëndësishme në dialog deri në pranverën e ardhshme.

Në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ministrja Gërvalla tha se Kosova është e përkushtuar që të punojë në këtë drejtim. Ajo pati edhe një polemikë me homologun e saj nga Serbia, Ivica Daçiq, i cili përsëriti kërkesën që fillimisht të themelohet Asociacioni dhe pastaj të ketë lëvizje drejt normalizimit në dialog.

“Unë besoj se kemi gjasa të mira për të arritur sukses në dialog shumë më herët se kaq. Jemi të përkushtuar që të punojmë në këtë drejtim. Kryeministri përmendi pranverën e ardhshme”, u shpreh ajo.

Me fjalët e kryediplomates së Kosovës u pajtua Lajçak, i cili tha se me përkushtim për të implementuar marrëveshjet e shkurtit dhe marsit, Kosova dhe Serbia mund të bëjnë përparime të mëdha.

“Po, pajtohem plotësisht. E dimë se çfarë duhet të bëhet. Kemi marrëveshjen e shkurtit dhe të marsit si dhe mund të implementohen sapo të ketë vullnet e përkushtim politik brenda disa muajsh”, deklaroi ai.

Por, qasje më skeptike për progres në dialog shprehu ministri serb Daçiq, i cili pyeti se çfarë do të ndodhë me marrëveshjet e para 10 vjetëve në dialog, shkruan Telegrafi.com.

“Vetëm se duhet të marrë përgjigje se çfarë do të ndodh me marrëveshjet paraprake që i kam nënshkruar para 10 vjetëve. Çka është qëllimi i gjithë atyre…Dialogu është çështje e normalizimit, çdo marrëveshje me Prishtinën ka qenë neutral ndaj statusit. Mund të qeshni sa të doni, sigurisht keni jetuar në Jugosllavi dhe jo në mars. Tash po flasim për dialogun për normalizim apo për statusin. Ne jemi konstruktivë, duam të marrin pjesë por së pari është Asociacioni dhe para kësaj nuk mund të ecim më tutje. S’mund ta shmangim”, tha Daçiq.

Atij i reagoi ministrja Gërvalla, e cila tha me këtë qasje nuk mund të ketë lëvizje përpara.

“Nëse kërkon arsye që mos të lëvizësh, gjithmonë është lehtë që të gjendet”, tha ajo.

Krahas kësaj, Gërvalla tha se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Prirem që të marr seriozisht këtë përgjigje, pasi 2030 është një synim që ne mund të punojmë dhe përgatitemi kur BE-ja të jetë e gatshme që mos të ndryshojë më datën për zgjerim”, theksoi ajo.