Gërvalla deklarohet për katër ç’njohjet e vendeve ndaj Kosovës

Në konferencën e saj për media pas aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Donika Gërvalla ka thënë se nuk asnjë informacion zyrtar për ndonjë tërheqje të njohjeve.

Serbia pretendoi sot se janë gati 4 shtete që të tërheqin njohjet e shtetësisë së Kosovës.

“Ne nuk kemi asnjë informacion nga asnjë shtet, fakti që vetëm pak orë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës ata (Serbia) thonë që i kanë gati katër çnjohje tregon dy gjëra ose lajmi është i pavërtetë ose ata kanë shumë kohë që punojnë për çnjohje për dallim nga ajo çka deklarojnë publikisht”, ka thënë Gërvalla.

Sipas saj, Kosova ka mbështetje, edhe me shkrim, të shumë shteteve anëtare të Këshillit Evropës.

Ministrja e Jashtme ka thënë se nga bisedat me përfaqësues te Francës i është thënë se ky shtet e përkrah anëtarësimin e Kosovës më Këshillin e Evropës.

“Kam biseduar me përfaqësues të ndryshëm të Bashkimit Evropian edhe të Francës, ne na është thënë qe Franca e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Nëse Franca ndërkohë mund të ketë ndonjë dilemë ne mund të bisedojmë por nuk kemi ndonjë informacion të tillë”, ka thënë ajo