Gërvalla: Berishaj ka qenë në ministri, s’shkarkohet ambasadori me informacionin e një mediumi

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka qenë në Ministrinë e Jashtme dhe se ka biseduar me të.

Gërvalla tha se ende s’ka asnjë indikacion kundër ambasadorit, e prandaj s’mund ta shkarkojë.

“Dua të jem shumë e sinqertë, ambasadori nuk pezullohet apo shkarkohet në bazë të një informacioni të një mediumi pa pas informata të tjera. E patë që edhe Prokuroria e Malit të Zi e dha një informacion që kanë pas hetime dhe kanë rezultuar se nuk ka asnjë vepër penale, të cilën mund ta ketë kryer ambasadori Berishaj. Ky është pozicioni ynë deri më tani, në mungesë të qoftë edhe një indikacioni të vetëm kundër ambasadorit Berishaj”, ka deklaruar ministrja.

Gërvalla tha se Berishaj gëzon besimin e tyre dhe se do të vazhdojë punën e tij në Kroaci “ashtu siç ka shkuar”.

“E kam një deklaratë të gjatë disafaqëshe të ambasadorit Berishaj me shkrim. Ai ka qenë në Ministri dhe kemi biseduar gjerë e gjatë rreth asaj që ne ende e konsiderojmë si kampanjë të bazuar në një shkrim të një mediumi slloven, i cili pastaj ka marrë dhenë. Kam biseduar me autoritete të shteteve të ndryshme lidhur me këtë dhe deri në këtë moment që ne po flasim nuk ka asnjë indikacion që në akuzat e përmendura mund të ketë diçka të vërtetë”, ka deklaruar tutje Gërvalla.

Ajo tha se ka edhe raportime të mediave sllovene, kroate dhe të tjera që e tregojnë “pikërisht të kundërtën” e raportimit që pati mediumi slloven.

Për këtë rast ka folur mbrëmë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca ka thënë se nëse ka del diçka e vërtetë nga këto raportime, Ministrja Donika Gërvalla duhet ta shkarkojë Berishajn, shkruan Gazeta Online Reporteri.net

Ai ka thënë se shteti i Kosovës i ka mobilizuar të gjitha resurset për t’u marrë me këtë rast.

“Tash, shteti kur përballet me një fenomen të tillë i mobilizon të gjitha resurset për më marrë vesh cka ishte kjo punë. Edhe shteti i Kosoovës i ka mobilizuar të gjitha resurset edhe relacionet që i ka me shtetet ku ndodhi kjo. Dmth kjo ndodhi në relacionin mes Malit të Zi dhe një kompanie që po pretendohet ose pronë ose mund t’i ketë aksionet z.Berishaj aty, edhe në Slloveni ku kishte lidhje me atë, ajo kompania publike energjetike e Sllovenisë me emrin GEN’I dhe tash çështja është kështu. Nëse ka bazë dhe diçka është e vërtetë, Ministrja Gërvalla unë mendoj që menjëherë duhet të veprojë dhe ta shkarkojë z.Berishaj, por nëse ti e bën këtë gjë pa i verifiku burimet, veç pse tha dikush në Slloveni në një betejë zgjedhore për me mujt kundërshtarin dhe pastaj shteti reagon përmes një tabloidi, krejt shteti mobilizohet edhe e merr një veprim dhe pastaj del e kundërta, unë mendoj që dëmi është edhe më i madh. Dëmi pastaj është i parikuperueshëm”, ka deklaruar Konjufca.

Tutje, ai ka thënë se nëse del një skandal i tillë, përgjegjësia shkon deri te nivelet shtetërore.

Sipas tij, kur largohet një ambasador prej pozicionit, s’është mirë që të kthehet më në atë pozitë, meqenëse është “simptomë” e një shteti joserioz.

“Nëse del një skandal i tillë, përgjegjësia shkon deri te nivelet shtetërore. Pastaj përgjegjësia, një pjesë e përgjegjësisë së caktuar më kap edhe mua. Sepse të gjithë ne, mbase edhe ju, e njehni z.Berishaj në mënyrë të caktuar. P.sh unë e njoh si professor të nderuar, i cili ka edhe plot libra që i lexojnë ehe studiusit e Sllovenisë edhe ka dhënë mësim edhe në Kosovë dhe duke e njohur si personalitet të tillë, ama vetëm sit ë tillë, dhe si të tillë e njohin mijëra qytetarë të Kosovës dhe jo për ndonjë aspekt tjetër, ne e kemi vendos ambasador për shkak të këtyre cilësive, jo për shkak të ndonjë gjëje tjetër. Dhe atij psh iI ndodh në një shtet tjetër diçka që mund po konsiderohet, hajde po e quajmë skandal masi po doni ju, dhe çfarë përgjegjësie më rrok mu. Mua më rrok përgjegjësia pse nuk e kam njohur më mirë. Unë ndoshta edhe nuk kam mujt me njoft ma mirë. Unë s’kom burime me ditë në cilën kompani të Malit të Zi që është e regjistrume ai ka aksione”, ka thënë Konjufca në RTK.

Sipas Konjufcës, rezultati i hetimit nga Agjencia Kundër Korrupsionit do t’i ndihmonte institucionet e vendit si të veprojnë në këtë rast.

E përmendja e kryeministrit Gollob, thotë se mund t’i lëkundë marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Sllovenisë.

“Kur jemi të filtrat, na ka thënë poashtu edhe Agjencia Antikorrupsion që është duke u marrë me të dhe një rezultat i saj do të mund t’I ndohmonte institucionet e Kosovës se si të veprojnë, ama të vepron shteti automatikisht për shkak të një tabloidi mendoj që është gabim. Edhe e dyta i qëndroj asaj për z.Gollob. Unë mendoj që z.Gollob s’duhet të përfshihet fare, e mediat tona e kanë përfshi shumë fatkeqësisht dhe mendoj që kjo mund t’i lëkund marrëdhëniet tona me shtetin e Sllovenisë, sepse tek e fundit ai është kryeministri I një shteti, me të cilin kemi marrëdhënie shumë miqësore”, ka deklaruar kryekuvendari.

Një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net, ka zbuluar dhe dokumentuar se si afër dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra.

Mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin. Berishaj nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje.