Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka befasuar sërish.
Ajo ka dal me një ide të re për dialogun Kosovë – Serbi. Tri viteve pasi Qeveria e Kosovës ka negociuar në Bruksel me Serbinë, duke arritur disa marrëveshje, ajo ka thënë se procesi ka nevojë për një strategji të re.
Kjo pasi, sipas saj, ajo që është arritur deri me tani në praktikë nuk po zbatohet, raporton Nacionale.
“Nuk mund t`i kërkoni Kosovës që në mënyrë të njëanshme të implemtojë diçka për të cilën Serbia është zotuar, edhe me shkrim ia ka drejtuar BE-së, që nuk ka për ta implemtuar. Prandaj, kemi nevojë për një strategji të re në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Gërvalla në një intervistë për tëvë1.
Ndonëse nuk ka dhënë detaje për këtë strategji, ajo ka bërë me dije se kjo nënkupton një ridizajnim të procesit të Brukselit.
“Po. Mendoj se kemi nevojë për një dizajn krejtësisht tjetër”, është shprehur shefja e diplomacisë kosovare.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës ka vlerësuar se gjithçka që është arritur në këtë proces për gjatë këtyre tri viteve të Qeverisë Kurti në praktikë është e “nul”.
“Në praktikë po. Ndërsa në teori ne ende themi se e kemi një marrëveshje të shkurtit të vitit të kaluar, duke mbetur shumë skeptik se Serbia do ta zbatoj”, ka thënë Gërvalla.
Ndër të tjera, ajo ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nuk do të dërgoj Asociacionin në Gjykatë Kushtetuese.
Sipas saj, draft-statuti i BE-së për Asociacionin, të cilin në parim e ka pranuar Qeveria Kurti në vitin e kaluar, është një
“Meqenëse vazhdimisht përsëritet kërkesa që të shkoj në Gjykatë Kushtetuese, duke e ditur se ajo letër si e tillë nuk mund të shkoj në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur ajo.
Shefja e diplomacisë ka vlerësuar se me kohë Kosova është ofruar për të shkruar vetë një draft-statuti.
“Ka shumë kohë që ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që se bashku me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme në Kosovë si të atyre shqiptare dhe të atyre që vijnë nga pakicat të hartojnë një propozim, i cili mendojnë se do të jetë shumë pozitiv dhe do t`i forcojë të drejtat e komunitetit serb në Kosovë”, është shprehur Gërvalla.
Ajo insiston në këtë ide, pavarësisht se e pranon që ndërkombëtarët e kanë refuzuar një gjë të tillë.
“Nuk e kemi bërë sepse nuk ka asnjë gatishmëri për të trajtuar një dokument i tillë. Në vazhdimisht nga ana e partnervë ndërkombëtarë na është thënë që çështje e Asociacionit ëshrë çështje e dialogut në Bruksel. Dhe meqenëse është çështje e dialogut në Bruksel, atëherë është çështje dypalëshe”, ka thënë ajo.
Nuk e di pse BE-ja i ka vendosur masat
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ende nuk e di pse Bashkimit Evropiane i ka vendosur masat ndëshkuese Kosovës.
Ndonëse për gati një vit zyrtarët e BE-së me dhjetëra herë kanë shpjeguar se pse janë vendosur ato masa, zëvendëskryeministrja Gërvalla duke se ende nuk e ka të qartë.
Madje, ajo pretendon se askush nuk e di një gjë të tillë.
“Mendoj se problemi që nuk po hiqen masat është sepse askush nuk po e di për çka janë vendosur. Ka pasur një kërkesë për deeskalim, deeskalimi ka ndodhur para muajsh dhe askush nuk po është në gjendje të konstatoj se çka duhet të bëj Kosova”, ka thënë ajo.
Shefja e diplomacisë kosovare ka fajësuar BE-në për vendosjen e këtyre masave.
Sipas saj, kjo është paaftësi e Brukselit dhe jo e vendeve anëtare të BE-së.
“Prandaj, kam vendosur që të mos i komentoj ato masa, sepse me duken tërësisht të pakuptimta. Dhe e dyta, janë shprehje e paaftësisë së Brukselit. Pra të Bashkimit Evropian, jo të shteteve anëtare, por të strukturave burokratike të BE-së për të gjetur zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo, duke shtuar se BE-ja po bën eksperimente me Kosovën.
“Prandaj, bëhen eksperimente, prandaj bëhet propozime të cilat tre ditë më pas ndryshojnë. Kështu që, detyre e jona është që të jemi konstruktiv në proces, të vijmë vazhdimisht me propozime të cilat i ndihmojnë komunitetit jo shqiptar në Kosovë, pra komunitet serb, boshnjak, ashkali, romë, egjiptian dhe gjithë të tjerëve, dhe të mos bëjmë gabime, ose të paktën të mos kontribuojmë në përkeqësimin e gabimeve që janë bërë në të kaluarën”, ka thënë Gërvalla.







