Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të trajtojë “sa më parë” kërkesën e Kosovës për anëtarësim në bllokun 27-shtetesh gjatë takimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Ministrja Gërvalla ftoi grupin ‘Miqtë e Ballkanit Perëndimor’ të përkrahë aplikimin e Kosovës për në BE dhe të ndihmojë konkretisht në trajtimin e kërkesës së dhjetorit të vitit 2022 duke vënë në pah faktin që nuk duhet lejuar Rusia dhe aleatët e saj në rajon të diktojnë ritmin e zgjerimit të BE-së”, thuhet në njoftimin e MPJD-së të hënën.
Në fjalën e saj para homologëve nga Ballkani Perëndimor, në bazë të komunikatës, kryediplomatja kosovare ka prezantuar perspektivën e Kosovës në procesin e integrimit në BE, duke theksuar se Kosova është prijëse e dëshmuar e rajonit, veçanërisht sa i përket sundimit të ligjit dhe standardeve demokratike, por edhe rritjes ekonomike.
Kosova, pavarësisht vrullit në procesin e zgjerimit për shkak të agresionit rus në Ukrainë, ka shënuar një progres të kufizuar drejt integrimeve. Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku s’e ka shqyrtuar. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet në dialogun Kosovë-Serbi.
Ndryshe, në procesin e zgjerimit aktualisht ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. E sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Kosovës para më shumë se një viti, zor se mund të injorohen.







