Ish mesfushori legjendar i Liverpoolit dhe tani trajner i Rangers, Steven Gerrard, ka bërë të ditur se plaga e krijuar nga dështimi për ta fituar titullin e Premierligës, në vitin 2014, është ende e hapur dhe nuk do të shërohet as nëse Liverpooli e fiton këtë sezon këtë titull.
Në vitin 2014, Gerrardi kishte qenë shumë afër ta fitojë titullin e tij të parë të Premierligës në karrierën e tij. Megjithatë, këtë mundësi e humbi pasi rrëshqiti dhe topi shkoi te këmbët e Demba Ba, i cili arriti të shënojë gol për Chelsean.
Ky gol i shënuar nga Demba Ba bëri që Liverpoolit ta humbte ndeshjen dhe në fund titulli i takoi Manchester Cityt.
“Kjo plagë ka qenë e hapur që nga rasti im në vitin 2014. Shpresoj se Liverpooli do ta fitojë titullin këtë sezon, por kjo nuk do të ndikojë aspak në plagën time”, ka thënë Gerrard.
“Nuk mendoj më shumë se që duhet dhe nuk e çmend veten për këtë incident, por në të njëjtën kohë, unë gjithmonë jam treguar i sinqertë dhe i hapur. Ishte vit i madh dhe unë gjithmonë do të dëshiroj të ketë ndodhur ndryshe”.
Në një intervistë të mëhershme për Dailymail, Gerrard kishte bërë të ditur se ai kishte pasur probleme me shpinë dhe para ndeshjes ishte detyruar ta merrte një injeksion për t’ia ndaluar dhimbjet, pasi që përndryshe do ta kishte humbur ndeshjen.
“Nuk mendoj se ky është një arsyetim. Ajo që ndodhi ishte fat i keq, por kur e bën një libër apo një film, sidomos me njerëz të cilën kanë fituar çmime Oscar dhe kanë bërë filma si Amy [biografia e Amy Winehouse], ti duhet të jesh sa më i hapur dhe më i sinqertë që mundesh”, ka thënë Gerrard.
Anglezi kishte luajtur për Liverpoolin për plot 17 sezone, nga viti 1998 deri në vitin 2015, mirëpo ai asnjëherë nuk arriti ta fitojë titullin e Premierligës.







