Gërmime në Majac të Podujevës, dyshohet se është varrosur një viktimë e luftës së fundit

Në fshatin Majac të Podujevës, ekspertët e Mjekësisë Ligjore po vazhdojnë gërmimet pasi dyshohet se këtu është varrosur një viktimë e luftës së fundit.

Deri më tani ekipa e ekspertëve nuk ka hasur në asnje fakt, ndërsa sot është dita e dytë që ka germime në siperfaqen prej 20 ari. Një kanal është hapur edhe dy të tjera pritet të hapen gjatë ditës së sotme.

Përveç departamentit të Mjekësisë Ligjore, këtu ndodhen edhe hetuesit e policisë së Kosovës dhe një përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gerxhaliu ka thënë se këtë muaj kanë marrë 13 urdhëresa nga prokuroria dhe një nga to është edhe gërmimi në Majac.

Këtyre ditëve gërmime jane zhvilluar edhe në Izbicë të Skënderajt, por aty nuk eshte gjetur asgjë, ndërsa nesër do të vazhdohet me gërmime në Polac.