Mircea Geoana

Geoana në Asamblenë Parlamentare të NATO-s: Në Kosovë tensionet janë të larta – dhuna rrezikon të kthejë prapa rajonin

Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, një pjesë të adresimit të tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Kopenhagë të Danimarkës, ia ka kushtuar rrjedhës së tensionuar në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit nga paramilitarët serbë në Kosovë.

Ai ka thënë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë sulmin e protestuesve serbë ndaj trupave paqeruajtëse të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) në fund të muajit maj është i papranueshëm dhe së këndejmi, ka bërë thirrje që dhuna të ndalet.

Geoana ka kujtuar se rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit do t’i bashkohen kontingjentit britanik prej 400 pjesëtarëve në kuadër të Forcës së NATO-s në Kosovë, pas sulmit terrorist në fshatin Banjë dhe rritjes së tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë.

“Në Kosovë tensionet mbeten të larta. Në maj, 93 trupa të KFOR-it janë plagosur gjatë protestave në veri të Kosovës. Muajin e kaluar u vra një polic i Kosovës. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Dhuna rrezikon të kthejë prapa të gjithë rajonin. KFOR-i është i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën gjermane “Welt”, ka theksuar se “situata në Kosovë është shumë shqetësuese” pas ngjarjeve të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të territorit kosovare, ndërsa ka garantuar se Forca e NATO-s në Kosovë do ta ruajë paqen në rajon.

“Situata në Kosovë është arsye për shqetësim të madh”, ka thënë Stoltenberg disa ditë para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, derisa ka nënvizuar se “trupat e NATO-s janë të gatshëm të ruajnë paqen në Kosovë” dhe së këndejmi “nuk do të lejojnë që të rikthehet dhuna e viteve 1990” në territoret e ish-Jugosllavisë.

Ish-kryeministri norvegjez ndër të tjera ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), sepse sipas tij, kjo rrugë është “mënyra e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme për të gjitha komunitetet” që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.