Gent Cakaj: Shpreh respektin maksimal për kontributin historik të Ramush Haradinajt

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se në Kosovë ngritja e aktakuzave ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli po provohet që të individualizohet.

“Është qasje e sofistikuar për llogaritë e caktuara politike sepse me largim e tij shohin zgjerim të fushëveprimit të tyre. Aktakuza kundër Thaçit nuk është personale – kundër një individi, sepse po flasim për një prej liderëve të UÇK-së”, ka thënë Cakaj.

“Përpjekja është për individualizim të përgjegjësive. Nëse konfirmohet se krerët e UÇK-së kanë bërë krime lufte, askush nuk mund të thotë se është çështje individuale sepse do të njolloset lufta e UÇK-së dhe gjithë narrativa e shtetndërtimit të Kosovës”, shkruan Ballkani.info.

Cakaj ka folur edhe për raportin e kryeministrit Edi Rama me ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Cakaj e ka konfirmuar në Klan Kosova se Rama e ka tërhequr padinë ndaj Haradinajt.

“Tërheqja e padisë publikisht nga Rama është bërë sot, tash janë çështje teknike se sa kohë merr procesi përmes avokatëve”, ka thënë Cakaj.

Ai tutje ka folur në superlative për Haradinajn dhe familjen e tij.

“Shpreh respektin maksimal për kontributin historik të Ramush Haradinajt dhe familjes së tij”, ka thënë ai. /Ballkani.info/