Gent Cakaj refuzon biznesmenin e dyshimtë si Konsull Nderi të Kosovës në Shqipëri (DOKUMENT)

Ministri i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, nuk e ka pranuar kandidaturën për Konsull Nderi të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, Juljan Morinën.

Sipas dokumentit të siguruar nga Ballkani.info, njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, e ka përcjellur Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, duke i shprehur Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës sigurinë e konsideratës së saj më të lartë.

Por kush është Juljan Morina, personit të cilit iu refuzua kandidatura për t’u bërë Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Shqipëri?

Juljan Morina, ishte bërë emër i njohur për mediat në Shqipëri në rastin e dy indianëve që ishin akuzuar nga autoritetet e vendit të tyre për vjedhjen dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve, ndërsa që të dy kishin ardhur në Shqipëri për të investuar.

Morina kishte nisur ndërtimin e kompleksit Drymades Dream, në bashkëpunim me kompaninë ‘Laxmi Real Estate’, e cila ishte në pronësi të dy indianëve Nitin dhe Chetan Sandesara.

Pas shumë transaksionesh të dyshimta, Morina kishte mbetur pronar i vetëm i parcelës, një pjesë e së cilës më herët i kishte takuar bashkisë.

Më vonë, Morina gjysmën e aksioneve ia shet dy vëllezërve indianë Sandesara, me vlerë prej 100 mijë eurove.

Dy vëllezërit indianë Sandesara dyshohet se kanë përvetësuar dhe më pas pastruar mbi 725 milionë dollarë të marrë përmes kredive nga bankat shtetërore të Indisë. Një pjesë e këtyre parave duket se kanë ardhur në Shqipëri për tu investuar në sektorin e ndërtimit, jo vetëm në ndërtimin e pallateve në tiranë, por edhe resortet luksoze në bregdetin jugor e Shqipërisë. /Ballkani.info/