Gent Cakaj jep lajmin e mirë, prindërit e tij e fitojnë betejën me COVID pas një muaji vuajtje

Ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se prindërit e tij e kanë fituar betejën me COVID-19.

“Pas më shumë se një muaji në betejën sfilitëse me COVID-19, gjatë së cilës ata me çerek fryme e shpirt ndër dhëmbë luftuan paepur me hijën e zezë të vdekjes, nëna e baba, lindën sërish. E, unë, pas krejt ditëve të zymta me dhimbje të plumbtë e netëve të gjata me ankth të pambarimtë, sot, si asnjë herë më parë, ndjej për ta dashuri të pamatshme e mirënjohje të pafund”, ka shkruar Cakaj.

Cakaj javë më parë kishte bërë thirrje publike për plazmë gjakë për babain e tij, pasi që ishte në gjendje të rëndë. /Ballkani.info/