Mbetet e paqartë se ku do të zhvillohet finalja e dytë e Copa Libertadores mes River Plates dhe Boca Juniorsit, por qyteti i Genovës ka ofruar një zgjidhje.
Genova i ka ftuar dy klubet argjentinase ta zhvillojnë ndeshjen përcaktuese për fituesin e trofeut më të rëndësishëm kontinental, në stadiumin “Luigi Ferraris”.
Sfida e dytë dhe vendimtare u planifikua të zhvillohej të shtunën në mbrëmje por tifozët e Riverit sulmuan autobusin e Bocas duke i lënë të lënduar dhe shokuar futbollistët e rivalëve të përjetshëm.
CONMEBOL dëshironte që të zhvillohej ballafaqimi menjëherë natën e ardhshme por takimi u shty sërish për shkak se skuadra e Boca Juniorsit nuk e kishte marrë veten ende nga tmerri.
Klubi i Boca Juniorsit është formuar nga imigrantë të qytetit të Genovës, ndërsa edhe River Plate ka lidhje historike me qytetin italian.
Qyteti i Genovës është duke e kapërcyer situatën e vëshitrë të krijuar me rrëzimin e urës “Morandi”, që rezultoi me shumë njerëz të vrarë, gushtin e kaluar.
“Ne do të ishim shumë krenar për të pritur në qytetin tonë klube të rëndësishme si Boca Juniors dhe River Plate, në një mënyrë në shtëpinë e tyre të parë. Gjithashtu do të ishte një mundësi e mirë për të kthyer vëmendjen ndërkombëtare te Genova pas gjendjes të vështirë, si dhe të forcohen lidhjet miqësore që historikisht na bashkojnë me këto dy klube”, u shpreh drejtori sportiv i Genoas, Stefano Anzalone.
Sot pasdite do të merret vendimi zyrtar për datën dhe vendin e zhvillimit të ndeshjes së dytë, derisa rezultati i takimit të parë përfundoi në barazim 2-2, vlen të përmendet se në Copa Libertadores nuk vlen goli i shënuar në fushën mysafire.







