Artisti

Genc Prelvukaj kritikon përkrahësit e VV-së që e shanë Thaçin në profilin e Edi Ramës

Artisti dhe historiani Genc Prelvukaj ka kritikuar disa simpatizantë të VV-së që gjetën kohë të kritikojnë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, pasi ky i fundit postoi letrën e ish-Presidentit Hashim Thaci nga Haga.

Postimi i Ramës u vërshua me komente, disa edhe ofenduese, ndaj tij dhe Thacit, ndërkohë që Prelvukaj e cilëson këtë si të panevojshme dhe si shfaqje të urrejtjes patologjike. Prelvukaj thotë se tani VV ka kontrollin mbi të gjitha instancat shtetërore dhe nuk e sheh të arsyeshme logjikën e konfliktit tek disa simpatizantë partiakë.

“Logjika e mbrapshtë e militantëve. Kryeministri Edi Rama në profilin e tij e kishte postuar një letër, që ia drejtonte Hashim Thaçi nga Haga me rastin e triumfit në zgjedhjet parlamentare. Bëjnë turr militantë dhe  paramilitarë partiakë të Vetëvendosjës, duke e sharë e fyer Thaçin, në profil të Edi Ramës, për shkak të këtij urimi”, shkruan Prelvukaj.

“Pavarësisht që kanë fituar 50% ende me logjikën e konfliktit, duke kërkuar sherr kudo, pavarësisht që e drejtojnë shtetin në çdo instancë dhe nuk i pengon asnjëri. Duhet ta kuptoni që rotacioni politik në vend ka ardhur nga nevoja për të ndryshuar ndonjë gjë për të mirë dhe jo per te demonstruar  urrejtje patologjike vend e pa vend”, shtoi Prelvukaj.