Genc Prelvukaj bën një shpjegim rreth “Vidovdanit”

Muzikanti dhe historiani Genc Prelvukaj ka bërë një shpjegim lidhur me “Vidovdanin” ose Betejën e Kosovës.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se për shkak të mungesës së studimeve për këtë betejë, shumë persona si Richard Grenell mund ta keqkuptojnë atë.

Kështu ai ka renditur edhe disa nga siç i ka quajtur ai gabime të shtetit.

Ndër të tjera ai ka thënë se në asnjë prej guidave nuk është promovuar e vërteta e Betejës së Kosovës.

“3. Në asnjë prej guidave, kampanjave reklamuese shtetërore nuk është promovuar e vërteta e Betejës së Kosovës. Kemi bërë një videospot të pakuptimtë (Kosovo the young europeans) duke shfaqur një fushë me grurë dhe një hartë kartoni teksa ulet, duke lënë përshtypjën që jemi popull pa kurrëfarë historie. Atë e kemi dërguar në botë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Beteja e Kosovës dhe Grenell

Richard Grenell nuk është historian me profesion. Është diplomat i një shteti ku njerëzit si emigrantë shkojnë për të harruar problemet etnike, ndasitë dhe kundërthëniet që kanë në vendin e origjinës. Është qytetar i një shteti ku historia nuk është trajtuar me të njejtën rëndësi sikurse në Europë. Ballkanologë të rangut Shufflay, Thalloczy, Jirecek, Ostrogorsky, Hammer, Ljubic, Malcolm, Babinger, Jorga, Miklosic, Inalcik, në shtetin e tij nuk di të ketë pasur ndonjëherë. Në këtë kontekst, nuk më befason mungesa e dijës së tij mbi problemet historike të gadishullit Ballkanik.

Mirëpo para se të sulmojmë të huajin, duhet të shofim njëherë cilat janë gabimet në shtëpinë tonë.

1.Kam pasë shkruar shumë herë, vite me radhë, mbi nevojën e ngritjës së një memoriali për feudalët shqiptarë të rënë më 1389 në betejën e Kosovës. Osmanët i ndërtuan tyrbenë sulltan Muratit të parë, serbët më 1939 ngritën pirgun e Lazar Hrebeljanovic-it, ndërsa ne tanëve asgjë.

2. Që nga çlirimi e deri më sot, një ceremoni zyrtare shtetërore, në të cilën do të thirreshin ambasadorë e konsuj, studiues e personalitete të rëndësishme, nuk është organizuar.

3. Në asnjë prej guidave, kampanjave reklamuese shtetërore nuk është promovuar e vërteta e Betejës së Kosovës. Kemi bërë një videospot të pakuptimtë (Kosovo the young europeans) duke shfaqur një fushë me grurë dhe një hartë kartoni teksa ulet, duke lënë përshtypjën që jemi popull pa kurrëfarë historie. Atë e kemi dërguar në botë.

4. Deri më sot nuk di të kemi pasur fushata studimore të mëdha, që përveç studiuesve vendorë të angazhoheshin kundrejt pagesave edhe autorë të të huaj për të ndriçuar sa më shumë pjesmarrjën e shqiptarëve në këtë betejë. Njësoj si Shqipëria që e kishte angazhuar, kundrejt një pagese shumë të madhe për kohën, kroatin Milan Shufflay për Acta Albaniae.

Në rrethana të tilla, jo vetëm Grenelli, por edhe shumë të tjerë si ai, do të bëjnë ngatërresa të tilla, sepse në fund të fundit, fiton ai që di ta shpalosë dhe promovojë tregimin më mirë. Për fund : kushdo i huaj që merr rrugën nga Prishtina për në Mitrovicë, kur ta shef në anë të majtë tyrbenë e Sulltan Muratit të parë, ndërsa nga krahu i djathte pirgun e Lazar Hrebeljanovic-it, do të ketë po të njejtin konstatim si Grenell.

Sepse ne mrizojmë nën hije.