Geci ironizon me Osmanin, Konjufcën dhe Kurtin: E paskan ngritë këtë flamurin lara-lara

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti sot kanë ngritur flamurin shtetëror për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ceremonia u mbajt në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ndërsa tre krerët e shtetit kanë folur edhe para mediave ku kanë falënderuar të gjithë ata që kanë sakrifikuar për lirinë e vendit, duke thënë se Kosova ka ende punë për të bërë.

Por, si duket fjalimi i Osmanit, Konjufcës dhe Kurtit nuk i ka pëlqyer ish-deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci.

Ai ka komentuar në një lajm të publikuar në Facebook duke thënë se nuk beson se krerët e shtetit e “kanë lëshuar flamurin Kuq e Zi”.

“Tap e paskan lshu Flamurin Kuq e Zi edhe e paskan kap e paskan ngrit kët flamurin lara-lara, kurr nuk besoj. A bre pushteti i amël”, ka shkruar Geci.

Ai ka aluduar në kundërshtimet e mëhershme që kishte pasur Kurti sa ishte në opozitë, ku flamurit të Kosovës i ishte referuar si “flamur lara-lara”.