Ish këshilltari

Gecaj: LDK s’është kundër taksës, Qeveria pa koordinim me SHBA-në

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj ka hedhur poshtë deklaratat se LDK-ja është kundër taksës ndaj produkteve të Serbisë.

Në Rubikon të KTV-së ai ka thënë se nuk ka individ në Kosovë që nuk i pëlqyer taksa, megjithatë thekson se ajo është vënë pa pasur një koordinim me SHBA-në.

“Të gjithëve na ka pëlqyer taksa, s’mendoj se ka individ ose parti në Kosovë që janë kundër saj. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se Kosova nuk është projekt vetëm i yni, por edhe i miqve tanë. Shihet qartë që s’ka pas koordinim me rastin e taksës me SHBA-në. E keni parë që Serbisë çdo herë i ka sjellë vetëm probleme bashkëpunimi me Rusinë, megjithatë prapë së prapë gjithmonë është koordinuar me Rusinë”, ka thënë Gecaj.

Ai më tutje ka shtuar se letra e Haradinajt drejtuar vendeve të Quintit është ultimatum.

“Letra e kryeministrit është ultimatum. Ajo iu jep atyre ultimatum se si duhet të sillen në mënyrë që ne të heqim taksën. Kur u ngrit së pari taksa zyrtarë të Brukselit na thanë se ‘eci liberalizimi’ pas kësaj takse. Pasojat nga kjo mund të jenë të këqija. SHBA-ja ka thënë se do të ndalë ndihmën për FSK-në dhe duhet ta dimë se s’mund të bëhej ushtria pa këtë shtet”, ka thënë ai.

Gecaj ka shtuar gjithashtu se, “tani duhet të shkojmë në zgjedhje sepse ku shtet është në një kaos të madh”.

Ushtria, sipas Gecajt, do të bëhej edhe nëse do të ishte apo jo Haradinaj në Qeveri.

“Puna e ushtrisë është nisur shumë më herët. Edhe në Qeverinë Mustafa sepse ne, ndryshe nga kjo qeveri, jemi koordinuar me miqtë ndërkombëtarë. Taksa e Ushtria janë dy çështjet populliste me të cilat kjo qeveri ka filluar tashmë fushatën”, u shpreh ai.