Gazmend Syla: AAK-ja s’do të lejojë që asnjë pjesë e territorit të Kosovës të menaxhohet nga dikush tjetër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është duke u pajtuar me një pikë të marrëveshjes për të cilën janë dakorduar delegacioni i Kosovës me Serbinë në Washington.

Në një përgjigje për KOHËN, deputeti i kësaj partie, Gazmend Syla, duke mos dhënë detaje ka thënë shkurt se AAK-ja “s’do të lejojë që asnjë pjesë e territorit të Kosovës të menaxhohet nga dikush tjetër”.

“Ne nuk i bëjmë presion askujt. Ne vetëm qëndrojmë në mbrojtje të kushtetutshmërisë së Kosovës së 17 shkurtit”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia të enjten zhvilluan takime për disa orë në Shtëpinë e Bardhë, me diskutimet që në qendër kishin çështjet ekonomike. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kishte thënë pas takimit se kjo marrëveshje është hap përpara në arritjen e marrëveshjes finale.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet të premten rreth orës 17:00, sipas kohës sonë lokale. Në ceremoninë e nënshkrimit do të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Pas takimeve të së enjtes, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në tavolinë i ishte dorëzuar edhe një letër me të cilën i kërkohej njohja e Kosovës, por kishte shtuar se kjo u refuzua kategorikisht.