Gazetarja serbe Tatjana Lazareviq: Video-mesazhi i Milan Radoiçiqit tregon mënyrën se si funksionon Lista Serbe

Mënyra e të folurit, toni dhe komunikimi paraverbal – tregojnë qartë se mesazhi i Milan Radoiçiqit u drejtohej serbëve që ndjenin lirinë e fjalës për të thënë publikisht diçka kundër mënyrës se si funksionon Lista Serbe dhe kundër vetë Radoiçiqit.

Kështu vlerëson kryeredaktorja e portalit Kossev, Tatjana Lazareviq duke shtuar se këto lëvizje e komplikojnë edhe më tej pozitën e serbëve në Kosovë.

“Ky video-mesazh është vetëm një pjesë e një mozaiku shumë të komplikuar, në kontekstin e rrethanave në të cilat serbët në Kosovë kanë përjetuar. Të gjitha këto janë lëvizje të liga që e zhvendosin Beogradin dekada mbrapa dhe e komplikojnë më tej pozitën e serbëve”, shton ajo.

Një ditë më parë, kreu i grupit kriminal serb dhe njëherësh nënkryetari i Lista Serbe përmes një video-mesazhi është paraqitur me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës.

Radoiçiq që është i kërkuar nga autoritetet e sigurisë së Kosovës, pretendon se këtë video e ka incizuar në vendin tonë, shihet duke kërcënuar qytetarët për t’iu bindur grupeve kriminale.

Duke parë se ka humbur mbështetjen nga serbët, Radoiçiq është munduar që t’i shantazhojë ata, të cilët tashmë e kanë kuptuar se janë shfrytëzuar si instrument politik nga Beogradi.