Gazetarja kosovare emërohet zëdhënëse e Qeverisë Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Antigona Baxhaku do të jetë Këshilltare Politike dhe Drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit.

Pra Baxhaku do t’i ketë dy pozita në Qeverinë Hoti.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se mediat do të jenë më afër se kurrë me Zyrën e Kryeministrit.

“Mediat do të jenë më afër se kurrë me Zyrën e Kryeministrit, pasi që Antigona me eksperiencën dhe gatishmërinë e saj do të jetë adresa adekuate e informimit të saktë e të shpejtë”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë:

Ekipit tonë i bashkohet edhe Antigona Baxhaku!

Antigona do të jetë Këshilltare Politike dhe Drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit. Me veprimtarinë e saj 22 vjeçare në jetën publike, me theks të veçantë në jetën mediale, konsideroj se ajo do të jetë një vlerë e shtuar për Qeverinë e Kosovës, duke qenë urë e fuqishme komunikimi dhe bashkëpunimi me mediat.

Mediat do të jenë më afër se kurrë me Zyrën e Kryeministrit, pasi që Antigona me eksperiencën dhe gatishmërinë e saj do të jetë adresa adekuate e informimit të saktë e të shpejtë.