Gazetari kosovar në Beograd: Serbia do t’i përdorë deklaratat e Shkëlzen Gashit kundër UÇK’së

Gazetari Idro Seferi në emisionin #gjesi në T7 ka folur lidhur me situatën politike në vend, derisa ka komentuar edhe deklaratat e ish’këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, Shkelzen Gashit.

Seferi nga Beogradi ka deklaruar se kohëve të fundit në Serbi janë fokusuar më shumë në luftimin e pandemisë, e më pak në zhvillimet politike.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të rikthehet në tavolinë të bisedimeve me Kosovën.

“Po nëse shikohet nga aspekti i Serbisë, Serbia nuk është marrë shumë me këtë ngjarje, madje shumë pak ka qenë Kosova pjesë, për shkak se fokusi ka qenë Covid-19. Madje, në një konferencë për shtyp këtu e bëra një shaka me kolegët, duke iu thënë që po ndjehem i diskriminuar për shkak se zakonisht konferencat për shtyp gjithmonë merren me shqiptarët dhe kësaj radhe nuk ka pasur komente të tilla. Por, është përmendur vetëm në dy raste, në anëtarësimin në tregun evropian të energjisë dhe është përmendur shkurtimisht fakti i asaj që ka ndodhur, por Serbia është shprehur e pa kënaqur dhe njëkohësisht edhe e gatshme që të jetë në tavolinën e bisedimeve. Ajo që po ndodhë këtu, që po shihet që do të afrohet edhe drejt një shtytje të dialogut është edhe fakti që gradualisht po flitet që Serbia të kthehet në zgjedhje, për shkak se me 26 prill zgjedhjet nuk kanë qenë të mundura të organizohen dhe në këtë aspekt me Serbinë nuk do të ndodhë shumë ndryshim politik besoj, për shkak se pritet fitorja e partisë së Vuciq dhe nuk pritet të ndodhë ndryshim”, tha ai.

Seferi ka komentuar edhe deklaratën e ish’këshilltarit të Albin Kurtit, Shkelzen Gashit, për luftën e fundit.

“Ajo që pritet, natyrisht për Serbinë është që të diskutohet në të ardhmen se si dhe çfarë do të mund të fitojë Serbia në dialog me Kosovën. Natyrisht që tash për Serbinë edhe kjo situatë, ky debat i brendshëm mund të jetë i përdorshëm, për shkak të ideve politike që Serbia i ka paraqitur dhe natyrisht që kjo mund të jetë një paraqitje me pompozitet nga ana e një pjese të mediave, po të them që në diskursin kryesor nuk ka qenë ndonjë një debat shumë i madh, përveç që është përcjellë një informacion i tillë. Natyrisht që çdo gjë në këtë aspekt dhe çdo informacion nga Kosova, por edhe nga Serbia në mesin tonë kalon me një vëmendje mjaft të madhe, për shkak se dihet që situata nuk është zgjidhur dhe në politika konkurrente mundohet të shfrytëzohet çdo pjesë, përfshirë edhe deklarimet që nxisin tension në Kosovë, dhe në këtë rast janë ndoshta të leverdishme në Serbi”, ka deklaruar ai.