Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC është pyetur se ku dallon ajo nga politikanët e gjeneratës së vjetër dhe pse duhet ta ketë besimin e rinisë.
Osmani u pyet nga gazetari i BBC se ku dallon nga qeverisja e vjetër, për shkak se edhe ajo ka qenë në politikë për një kohë të gjatë. Në këtë pyetje, Osmani u përgjigj se për 20 vjet asnjëherë nuk ka qenë në pozita ekzekutive dhe se nuk ka pasur dorë në vendimet që janë marrë në vend.
“Por, znj. presidente pse duhet kosovarët e rinj t’ju besojnë juve? Sepse, le ta themi troç, ju keni qenë këtej rrotull në politikë për një kohë të gjatë. Ju ishin shefe e stafit të presidentit më shumë se dhjetë vjet më parë. Kështu që ju jeni e brendshme, ju nuk jeni e jashtme në politikë. Ju keni bërë kompromise përgjatë karrierës tuaj”, i tha gazetari i BBC, Vjosa Osmani.
Osmani u përgjigj duke thënë se ka bërë kompromise në interes të vendit.
“Por unë kam bërë vetëm kompromise që kanë qenë në interesin e vendit dhe në interesin e popullit, asnjëherë të kundërtën dhe populli i Kosovës e di këtë dhe për këtë arsye e vendosën besimin e tyre në mua dhe në z.Kurti në listën tonë të përbashkët. Siç theksova, kurrë nuk kam pasur rol ekzekutiv në vendimmarrje gjatë dy dekadave të kaluara. Kur kam qenë këndej, kam qenë kryesisht në rol këshillëdhënës dhe së dyti, në pesë mandatet që kam fituar radhazi në Kuvend, kam qenë opozitë e veprimeve që nuk ishin në interesin e popullit. Pra, të qenët në politikë nuk nënkupton patjetër që ke pasur rol në vendimet që janë marrë dhe që nuk kanë qenë në interesin e popullit”, u shpreh ajo.







