Gazetari “e zë ngusht” Kurtin: Po përgjigjem pjesërisht dhe po ia kaloj fjalën ministres

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur rreth rritjes së çmimit të energjisë, raportit të ZRRE-së për rishikimin e jashtëzakonshëm të tarifave dhe për rikthimin në funksion të bllokut B2.

Kurti është zënë ngusht nga gazetari kur është pyetur se pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk e ka pritur rikthimin e bllokut B2 për ta bërë raportin për rritjen e çmimeve.

“Unë po përgjigjem pjesërisht dhe po ia kaloj fjalën ministres tonë. Së pari raporti i ZrrE-së nuk është përfundimtar. Ne do të dërgojmë komentet tona lidhur me këtë raport. Mirëpo fakti se ne do të dërgojmë komentet tona nuk e bën gjendjen e mirë. Raporti i ZRRE-së është shprehje e gjendjes në të cilën ndodhemi.”, tha kryeministri Kurti.

Ai më tutje është shprehur se VV-ja e ka ndarë pushtetin nga shteti duke mos lejuar anëtar të vet në ZRRE dhe tha se nuk ka kuptim të kërkohet nga qeveria të mos lejohet rritja e çmimit të rrymës.

“Së dyti, ne përmes pavarësimit të rregullatorit, duam ta ndajmë pushtetin nga shteti. Nëse qeveria është pushtet, ZRRE-ja është shtet. Ne këtë e kemi bërë menjëherë duke mos lejuar anëtar të LVV-së të bëhen anëtar të ZRRE-së dhe nuk ka kuptim të kërkohet të mos lejojmë të bëhet kjo.”, tha Kurti.

“Uroj që sa më parë të vijë edhe blloku B2 sepse me ato 220 orë megavat i ndihmon situatës, por sërish nuk e zgjedh situatën. Pra, duhet ta kemi parasysh se e zbut situatën, por sërish nuk e zgjedh.”, tha ai.