Gazetari Dakaj: Florim e Ardian Alaj e kanë hakuar portalin Infokus
Nga Shkëlzen Dakaj
Nuk kam reaguar për vete dhe nuk keni reaguar për mua.
Por, po reagoj për Parim Ollurin e Vehbi Kajtazin dhe do të reagoj e do të ngris zërin për secilin gazetar e gazetare dhe cilindo medium.
Nuk keni kërkuar drejtësi për mua dhe nuk i keni dënuar kriminelet për sulmin që më është bërë mua, por unë do të dënoj çdo sulm e do të kërkoj drejtësi për secilin gazetar/e dhe medium që sulmohet nga kushdo qoftë.
Prej kur u shfaqën problemet e Insajderi-t, Parim Ollurit e Vehbi Kajtazit me Florim e Ardian Alajn janë të shumtë ata që më kanë pyetur edhe për rastin e sulmit të Infokusi-t që ka ndodhur në vitin 2017.
A është rasti i njëjte?
A janë këta Alajt që të kanë sulmuar Infokus-in?
Rasti i njëjtë nuk është, por me emër dhe mbiemër janë të njëjtit persona.
Florim e Ardian Alaj e kanë sulmuar Portalin Infokus, kanë hakuar dhe grabitur faqet e rrjetit social Facebook.
Madje nuk janë ndalur me kaq. Kanë hyrë edhe në privatësi duke thyer e marr e-mail adresat e redaksisë bashkë me të dhënat personale duke më bërë presion që ta tërheqë rastin nga policia.
Rrjedhimisht i gjithë mundi, përpjekja dhe investimi prej 7 vitesh, në vitin 2017 mu plaçkit e mu shkatërrua.
Nuk jam dorëzuar.
Mundi im e i dhjetëra gazetarëve e gazetareve, kolegëve e miqve që nuk kishin kursyer asgjë në rritje të portalit u shkatërrua për pak minuta nga keqbërësit.
Më kthyen në pikën zero në kulmin e zhvillimit.
Kur kishim arritur t’i verifikonim faqet në Facebook dhe kishim mbi 200 mijë vizita ditore, e kur të hyrat vetëm nga reklamat online ishin 3-4 mijë euro në muaj na erdhi goditja kibernetike.
Kjo ishte goditja më e madhe që kishim marr.
Për disa muaj nuk kam pushuar së kërkuari ndihmë në polici e prokurori, e nuk kamë lënë gurë pa lëvizur për të kërkuar drejtësi.
Kam ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kam respektuar instruksionet e drejtësisë.
Por, kam heshtur edhe tash e 22 muaj prej kur është ngritur aktakuza ndaj Alajve dhe nuk është ndërmarr asnjë hap nga gjykata, pavarësisht se kryesit e kanë pranuar veprën.
I kam shkruar edhe kryeprokurorit të shtetit, së paku 3 herë.
I kam shkruar me qindra herë FB-së e kam angazhuar njerëz në France e Gjermani për të kërkuar një mënyre kontakti me FB.
Nuk kam bërë presion publik, siç më kanë rekomanduar, por kam kërkuar vetëm drejtësi.
Krejt ketë betejë e kam bërë i vetëm.
Ka qenë gabim i madh që në atë kohë nuk e keni ngritur zërin edhe nuk i keni dalë në mbështetje Infokusi-t.
Është gabim edhe tani nëse nuk kërkojmë drejtësi për Insajderin.
Drejtësia duhet të kërkohet për secilin rast.