Gazetarët, Ramës: Ministri nga Kosova nuk ka CV, kryeministri: Ai ka lexuar libra më shumë se ç’keni thënë ju fjalë

Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, kryeministri shqiptar Edi Rama është pyetur në lidhje me emërimin e Ministrit të Jashtëm, Genti Caka.

Njëri prej reporterëve i ka thënë Ramës se Ministri i ri i Jashtëm shqiptar nuk ka një CV publike, një konstatim të cilit Rama i është përgjigjur me një ton ofendues duke thënë se Genti Caka ka lexuar libra më shumë sesa të gjitha fjalët që kanë thënë të gjithë gazetarët që ndodheshin përballë tij.

“Më falni për krahasimin, por e Caka ka lexuar libra më shumë se ju të gjithë keni thënë fjalë në jetën tuaj, CV e tij do ta keni në dispozicion kur të bëhet ministër, nëse nuk është atje është gjëja më e thjeshtë në botë, të jeni të sigurt se zgjedhja e tij është e një shqiptari si unë e si ti, unë e neveris cdokënd që nënvizon kosovarin si arsye për të kontestuar zgjedhjen. Sa i takon insinuatës në fjalë ca të them unë, nuk e përsëris fjalën se pyetjen e ke bërë pa tendencë negative dhe është e pafajshme. Nuk ka lidhje fare fare, Caka është vendosur ministër për atë që ai përfaqëson, i përkushtuar ndaj një pune shumë të vështirë si puna që ka bërë për integrimin. Kam vlerësuar kapacitetin edhe si drejtues, edhe si një djalë që është shumë pranë vizionit, programit, mënyrës së të parit të gjërave dhe familjes sonë politike. Çfarë mbetet, mosha? Unë nuk mendoj që ky është një moment ku duhet të paragjykojmë, sepse nuk bëj krahasime por ka pasur raste ministrash në fusha të tjera në vende me shumë më tepër peshë dhe kanë pasur sukses, ose jo, po jo për shkak të moshës. Aman, ky vend ka pasur ministër të jashtëm Aldo Bumçin, dhe nuk ka pasur asnjë debat”- tha Rama.