Gazeta e njohur amerikane e godet kandidaturën e Bidenit: Gabim historik, veprim i rrezikshëm

Bordi editorial i gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, ka vlerësuar se presidenti i ShBA-së, Joe Biden, është shumë i moshuar për të garuar përsëri në zgjedhjet presidenciale.

“Publiku e kupton atë që Bideni, si duket, nuk do ta pranojë: se zgjedhje e një personi që hyn në dekadën e nëntë të jetës me rënie të qartë për katër vite të tjera do të mund të ishte një gabim historik”- shkruajnë redaktorët e kësaj gazete.

“Të kërkosh nga vendi që të zgjedhë një burrë që është 80 vjeç dhe mandati i dytë i të cilit do të përfundonte kur ai të jetë 89 vjeç, është veprim i rrezikshëm që kufizohet me egoizmin”- shkruhet më tej në editorial.

Sipas redaktorëve, Shtëpia e Bardhë mundohet që ta fshehë atë që, sipas tyre, është dobësim i shëndetit të presidentit, “por rënia e tij është e qartë për secilin që nuk është i verbër me dashje”.

Ata i përmendën mungesën e konferencave për gazetarë, paraqitjet me shënime në dorë dhe pengesat e presidentit në publik si dëshmi për gjendjen e tij.

“Njerëz të ndryshëm plaken me shpejtësi të ndryshme, por rreziku nga një rënie e përshpejtuar për Bidenin është i konsiderueshëm. Gjasa që ai të mund të shërbejë gjatë mandatit të dytë në plotësi zor se është e garantuar”- shkruan gazeta.

Redaktorët argumentuan se nënpresidentja Kamala Harris od të ishte komandante e dobët e ushtrisë dhe se ajo pothuajse nuk do të mund të fitonte në zgjedhje, nëse Bideni do të detyrohej që të largohej nga gara.

“Në atë rast, votuesit e pavendosur do të mund të anonin nga një i nominuar i Partisë Republikane, i cili të paktën do të mund t’i plotësonte detyrat e vështira të zyrës. Po, madje edhe Donald Trumpi”- thuhet në editorial.