Gazeta amerikane për paradën ushtarake të Serbisë: Rritje e aleancës me Rusinë, tregim force për Kosovën

Parada e sotme ushtarake e Serbisë, ku u shfaqen artileri të rënda të dhuruara nga Rusia e mijëra ushtarë serb, nuk ka kaluar pa rënë në syrin e mediumeve më të mëdha të botës.

Washington Post në shkrimin e saj dedikuar këtij zhvillimit të sotëm në Nish, thotë se një paradë e tillë është një tregues i rritjes së aleancës së Serbisë me Rusinë, dhe shfaqje e forcës ndaj Kosovës, në një kohë kur mes këtyre dy shteteve ekzistojnë tensione.

“Serbia ka mbajtur të premten paradën ushtarake për të shënuar Ditën e Fitores, humbjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, në një shfaqje të dukshme të forcës karshi Kosovës në një kohë kur tensionet mes tyre janë në rritje’, thuhet në artikullin e Washington Post, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera gazeta amerikane përmend edhe faktin që në rast të një ndërhyrje ushtarake të Serbisë në Kosovë, forcat serbe do të përballeshin me forcat e KFOR-it.

“Çdo ndërhyrje ushtarake nga Serbia në Kosovë do të shkaktonte një përleshje të drejtpërdrejtë me paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO të vendosur në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në artikullin e WP.

Në këtë paradë ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksande Vuçiq, i cili ka thënë se ato do të përdoren kundër ndonjë agresori.

“Unë shpresoj se nuk do të duhet të përdorim (ushtrinë) kundër askujt. E gjithë kjo duhet të shërbejë kryesisht si një pengesë kundër ndonjë sulmi të agresorit”, është shprehur ai.

Në këtë paradë ushtarake kanë marrë pjesë mbi 4000 forca ushtarake, janë ekspozuar edhe disa aeroplanë që Rusia i ka dhuruar Serbisë, dhe ndër të tjera janë paraqitur edhe lloje të ndryshme të armatimeve të rënda.

Sipas analizave, Serbia është vendi që ka investuar në ushtri më shumë se të gjithë vendet e Ballkanit së bashku.

Diku mbi 700 milionë dollarë amerikanë, Serbia i ka investuar vetëm në forcimin e sektorit ushtarak.