Gaxherri- Vetëvendosjes: Ju morët oksigjen nga Serbia

Duke ia kujtuar Lëvizjes Vetëvendosje oksigjenin nga Serbia, donacion të pranuar sa ishte kryeministër Albin Kurti, ajo vuri në pah se Qeveria Hoti nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Ajo gjatë debatit parlamentar mbi gjendjen me COVID-19, ka kërkuar nga deputetët që të votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike, duke thënë se vetëm të bashkuar mund të tejkalojnë gjendjen e rënduar nga pandemia.

“Kjo qeveri nuk ka pranuar donacione nga Serbia, nuk ka keqpërdorur paranë publike duke shfrytëzuar pandeminë me tenderë me të cilët ishin lidhur kontrata me çmime 2-3 herë më të larta se çmimet e tregut. Nuk po bëhen selektime politike partiake në përzgjedhjen e specializantëve e personelit shëndetësor në përgjithësi. Ne jemi para një sfide të vështirë, por secili kemi përgjegjësi dhe duhet ta përmbushim, pasi jemi dëshmitarë se po humbim më të dashurit tonë, andaj ju lutem që të mos politizojmë me këtë fatkeqësi. Çdo fatkeqësie në vend mund t’ia dalim kur jemi bashkë”, tha Gaxherri.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuara qeverisjen e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës për dështim në menaxhimin e me pandeminë coronavirus, ku vetëm sot janë regjistruar 16 viktima dhe 690 raste të reja në nivel vendi.