Gaxherri: Të gjithë kemi dhënë më shumë se Vetëvendosja për këtë Kosovë

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se LDK-ja është krenare me mocionin që e ka ngritur, sepse në këtë mënyrë i kanë treguar Albin Kurtit që kështu nuk shkon.

“Unë kam besuar që kjo qeveri do të ketë një performancë të mirë duke u bazuar në përvojën e LDK-së. Le të thonë çfarë të duan, LDK-ja është në pushtet që nga paslufta dhe me mund dhe sakrifica i kemi krijuar raportet me ndërkombëtarët”.

“Mos të pretendojë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka ardhur sot, që duhet t’i zhbëjë rezultatet dhe raportet që i kemi bërë me mund dhe i kemi lidhur këto ura të besimit dhe respektit me partnerët ndërkombëtarë”.

“Kosova nuk ka filluar me ju [Lëvizjen Vetëvendosja]. Të gjithë të tjerët kemi dhënë më shumë se ju [Lëvizja Vetëvendosja] për këtë Kosovë”.

Ajo në Rubikon me Adriatik Kelmendin tha se LDK-ja e rrëzoi Lëvizjen Vetëvendosje, sepse i konsideroi të rrezikshëm.

“Ne ju kemi rrëzuar, sepse ju kemi parë që jeni të rrezikshëm për këtë vend. Nëse mund të bëni koalicion të ri qeverisës, keni të drejtë me Kushtetutë – dhe bëjeni. Nëse nuk mund ta bëni, atëherë e bëjmë ne si LDK nëse mundemi me partitë tjera, por pa PDK-në”.