Trajneri i Milanit

Gattuso nuk e sheh barazimin ndaj Torinos si një mundësi të humbur

Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso nuk e ka parë barazimin e mbrëmshëm në shtëpi përballë Torinos si një mundësi të humbur, pavarësisht se me një fitore potenciale do t’i afroheshin Interit në vetëm një pikë, me “Nerazzurrët” që renditen në vendin e tretë.

Gianluigi Donnarumma bëri një pritje të shkëlqyeshme në minutat e para ndaj Iago Falques, derisa në minutat e fundit Milani mund ta fitonte takimin, por sulmuesi Patrick Cutrone dështoi nga afërsia ta dërgojë topin në rrjetë.

Gattuso që së fundmi është ballafaquar me shumë dëmtime beson se një pikë ndaj Torinos është pozitive.

“Nuk e konsideroj si një mundësi të humbur. Ne ishim të vetëdijshëm se Torino është një skuadër e vështirë, e cila nuk ka humbur asnjë ndeshje në udhëtim. Kishim disa probleme në 15-20 minutat e para por pastaj e luajtëm lojën tonë. Torino ka shumë kualitet dhe kjo është një pikë e mirë. Nuk kam parë as performancë negative, jam i bindur se një vit më parë në këtë ndeshje do të mposhteshim”, deklaroi Gattuso.

Gonzalo Higuan u rikthye në fushë mbrëmë pasi që e kaloi suspendimin prej dy ndeshjeve, por paraqitja e sulmuesit argjentinas la shumë për të dëshiruar, megjithatë Gattuso i ka dalur në mbrojtje ish lojtarit të Juventusit duke kujtuar se 30 vjeçari vuan ende nga lëndimi në shpinë.

Pas 15 xhirove të zhvilluara në Serie A, Milani renditet në pozitën e 4-të me 26 pikë, 1 më shumë se Lazio e vendit të 5-të.