Gattuso drejt rikthimit te Milani

Gazetat e ndryshme italiane sot kanë raportuar për një kthim të mundshëm të Gennaro Gattusos në pozitën e trajnerit të Milanit, nëse kuqezinjtë vendosin përfundimisht ta shkarkojnë Marco Giampaolon.

Gennaro Gattuso kishte qenë i përfolur edhe për pozitën e trajnerit të Lazios, mirëpo disa gazeta italiane, përfshirë këtu Corriere dello Sport, tani po raportojnë se Milani dëshiron t’ia japë një mundësi të dytë italianit.

Trajneri aktual i kuqezinjve, Giampaolo, ka qenë nën presion të madh gjatë kohës së fundit, pasi që ai mbrëmë pësoi sërish disfatë, në ndeshjen kundër Torinos, duke e regjistruar kështu disfatën e tretë në pesë ndeshjet e fundit.

Ndërkohë, ish mesfushori italian, Gattuso, ka qenë pa punë që kur u largua nga “San Siro” në fund të sezonit të kaluar.

Edhe pse ai dështoi ta arrijë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, ai arriti ta drejtojë Milanin në vendin e gjashtë të tabelës e pastaj në të pestin në dy sezonet e tij me kuqezinjtë.

Megjithatë, kthimi i tij do të ishte befasues, pasi që Milani i ndau rrugët me Gattuson në mënyrë që ta revolucionarizojnë stilin e lojës me ish trajnerin e Sampdorias.

loading…