Numri i ministrave

Gati Projektligji që kufizon numrin e ministrave dhe zv/ministrave

Janë mbi 80-të zëvendësministra që japin kontributin e tyre në dikastere të ndryshme për Qeverinë “Haradinaj”.

Aktualisht, Grupi Nacional për Reforma Shtetërore, po punon në këtë drejtim me qëllim që të bëhen disa ndryshime me anë të një ligji.

Besnik Tahiri thotë se ky ligj do të jetë në frymë me Kushtetutën duke mos cenuar autoritetin e kryeministrit për organizim të Qeverisë.

Tahiri konsideron se sa i përket kësaj çështje vendosja e parimeve dhe fushëveprimit do të jetë një kornizë e qëndrueshme mbi funksionimin efikas të institucioneve.

“Aktualisht janë disa opsione, por ato do të normohen vetëm atëherë kur të arrihet një konsensus i gjerë për këtë proces. Para se gjithash, ky Ligj duhet të jetë në frymë me Kushtetutën duke mos cenuar autoritetin e kryeministrit për organizim të Qeverisë, por njëkohësisht duke përcaktuar dhe sanksionuar numrin e përgjithshëm të ministrive dhe zëvendësministrave. Në këtë Projektligj, në veçanti tek përcaktimi i zëvendësministrave, duhet të kemi parasysh dikasteret ku nevojitet edhe përfshirja e minoriteteve si nevojë dhe domosdoshmëri për të kontribuar në integrim të plotë të tyre”, ka thënë ai.

Sipas tij, ajo çka mbetet debutuese është se a mund të kufizohet një mandatar nëpërmjet një ligji për formën e organizmit dhe strukturimit të dikastereve qeveritare, për shkak se kjo është një çështje dhe e drejtë kushtetuese për kryeministrin.

Në mungesë të këtij ligji në shumë raste për shumë mekanizma institucionalë ka qenë e paqartë fushëveprimi, e për rrjedhojë kjo ka zbehur llogaridhënien efektive dhe transparencën.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Tahiri thotë se procesi i hartimit të koncept-dokumentit për Projektligjin për Qeverinë është duke iu nënshtruar një konsultimi të gjerë në nivel të ekspertëve sektorial në grup punues, ku deri më tash janë mbajtur tri takime. Sipas tij, para se gjithash, ky ligj vendos pronësinë e shtetit të Kosovës në rregullimin institucional në përputhje me Kushtetutën, duke zëvendësuar rregullimin aktual për fushëveprim nëpërmjet Rregullores së UNMIK-ut.

“Ky Ligj, jo domosdo lidhet me numrin e ministrive, por po ashtu përcakton edhe kushtetutshmërinë e ligjshmërinë, aspektet që lidhen me transparencë dhe efektshmërinë e një Qeverie me përgjegjshmëri e llogaridhënie. Pra këtij koncept-dokumenti do t’i paraprijë një analizë para se të dërgohet në Qeveri e Parlament. Duhet theksuar se ky ligj së bashku me Pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës janë korniza ligjore që e rregullon funksionimin e institucioneve dhe administratës së shtetit. “, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Tahiri vlerëson se afati i përfundimit është konform procedurave që ndodhin në secilin rast kur bëhet hartimi i projektligjeve, duke zbatuar një agjendë edhe të konsultimit të gjerë me të gjithë akterët./Indeksonline/