Gastronomët bëjnë thirrje që të votohet buxheti në Kuvend

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës e ka quajtur lajm të mirë miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, ndonëse sipas tyre votimi i tij u vonua relativisht gjatë duke konsideruar periudhën e vështirë të pandemisë COVID-19.

Sipas një postimi në Facebook, Shoqata thotë se kalimi i këtij ligji i ka dhënë një frymëmarrje më të lehtë ekonomisë së vendit, përkatësisht sektorit të gastronomisë.

Mirëpo, sipas tyre, disa prej dispozitave të tij po rrezikohen që të zbatohen për një kohë edhe më të gjatë.

“Kjo për arsye sepse disa nga nenet e përfshira në këtë ligj, janë të lidhura direkt me ndarjet buxhetore të cilat përcaktohen nga Projektligji mbi ndarjet buxhetore. Është paralajmëruar që ky Projektligj, nesër do të paraqitet në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për t’u votuar. Nëse i njëjti nuk votohet nga Kuvendi deri me dt. 31.12.2020, atëherë mund të autorizohet vazhdimi i zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal, i cili në rastin tonë nuk e parasheh mbështetjen e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe i cili mund të zbatohet deri në tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal”, thuhet në njoftim.

Sipas gastronomeve ekonomia ka nevojë që sa më shpejtë të përkrahet, dhe kjo nuk duhet të vihet në vështirësi nga moskalimi i këtij Projektligji.

“Andaj, ju bëjmë thirrje që ky Projektligj të shpallet në këtë vit ‘Ligj’, duke paraparë zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike menjëherë në janar të vitit të ardhshëm, kështu, duke i këndellur sadopak disa prej industrive më të goditura të vendit tonë, e veçanërisht atë të gastronomisë, si më i prekuri nga të gjithë”, thuhet në njoftim.