Gashi thotë se Mustafa ka shprehur vullnetin të mos rikandidojë për kryetar të LDK-së

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ekziston mundësia që subjekti i tij politik të zgjedh kryetarin e ri dhe njëkohësisht një kandidat për kryeministër për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Në princip është që kryetari i LDK-së të marrë përgjegjësitë për drejtimin e partisë dhe të vendit. Por edhe ky model është i pranueshëm sidomos kur në rrethanat kur kemi pamundësi që njëri nga kandidatët të dalë mbi kandidatët tjerë”, tha ai.

Gashi ka konfirmuar se Isa Mustafa ka shprehur dëshirën që të mos rikandidojë edhe një herë për pozitën e të parit të partisë.

“Mustafa ka pasur hezitim që të rikandidojë për kryetar për shkak të situatës në të cilën gjendjet, por kjo nuk do të thotë që ai të mos kandidojë. Mustafa nuk është deklaruar se ka hyrë në garë. Ai ka deklaruar se nëse ka konsensus për një kandidat tjetër, ka shprehur vullnetin që të mos kandidojë”, tha Gashi, në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Preferenca ime është që të kemi një kryetar që merr përsipër proceset edhe të partisë edhe drejtimin e vendit. LDK ka përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës dhe vetveten. LDK ka qenë në fazat e para të veta si një lëvizje, mendoj se ka mbet lidhja, ndjeshmëria e qytetarëve të Kosovës edhe pse mund të jenë votues të një partie tjetër”.

Ndërkaq, për zgjedhjet e reja, ai ka thënë se parapëlqen që të shkohet pa koalicione parazgjedhore.

“Ideja e shkuarjes individualisht në zgjedhje për partitë e mëdha është më e mira – merr shpërblimin ose ndëshkimin popullor. E din forcën e vet. Edhe programet do të ishin më realiste dhe do të kishte një koalicion paszgjedhor që do të koordinohej mbi bazën e programeve. Koha ka dëshmuar se koalicionet parazgjedhore kanë qenë joefikase”, tha ai.

loading…