Avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi, mendon se qëllimi i nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Institutit për Krimet e Luftës në Prishtinë dhe Qendrës Memoriale në Srebrenicë është miratimi i një rezolute tjetër të OKB-së kundër Serbisë.
Kohët e fundit, kryeministri kosovar Albin Kurti është takuar në Prishtinë me drejtorin e Qendrës Memoriale për Gjenocidin në Srebrenicë, Emir Suljagiq, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Memoriale Srebrenica.
Këto institucione pritet së shpejti të nënshkruajnë edhe një Memorandum Mirëkuptimi.
Parlamenti i Kosovës miratoi në janar të vitit 2021 një rezolutë të veçantë që dënon “gjenocidin serb në Srebrenicë”.
Gashi ka deklaruar se “nuk është as në interesin e popullit serb që këto krime të fshihen”.
“Pas 25 vitesh nga çlirimi, ka bashkëpunim me të gjithë ata që kontribuojnë për paqen në territorin e ish-Jugosllavisë dhe mendoj se kjo është në interesin e të gjithë popujve në çdo territor. Unë mendoj se qëllimi është përgatitja dhe eventualisht miratimi i një rezolute tjetër nga Kombet e Bashkuara kundër Serbisë për krimet dhe gjenocidin e kryer gjatë luftës në Kosovë,” tha avokati
Ai shpjegon se me këtë Prishtina do të fitonte satisfaksion “ashtu siç e kanë fituar në Srebrenicë,” por gjithashtu do të hapeshin rrugët për padi në gjykatat ndërkombëtare.







