Gashi priti në takim një delegacion nga Maqedonia

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur sot në kabinetin e tij, në selinë e MKRS-së në Prizren, një delegacion nga Republika e Maqedonisë.

Ministri është takuar me zëvendës drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport në Republikën e Maqedonisë së Veriut Izmit Nura dhe drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup Skender Asani.

Sipas një komunikate të MKRS-së, gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve ne fushën e rinisë dhe kulturës.Ministri Gashi i informoi mysafirët për politikat që ka hartuar e zhvilluar MKRS-ja në dobi të interesave dhe fuqizimit të të rinjve dhe të fushës së trashëgimisë në Republikën e Kosovës.

Ai theksoi se është e nevojshme marrja e përvojave të mira të rajonit dhe të vendeve evropiane për ndërtimin e standardeve sa më të mira dhe të përshtatshme për nevojat e Kosovës në këto fusha.

“Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë dhe të mbështesim projekte konkrete që janë me interes të dyanshëm dhe në favor të qytetarëve të Republikës së Kosovës e Maqedonisë”.Ministri Gashi, tha se jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që t’i realizojmë projektet e përbashkëta në mënyrë që të rritet shkëmbimi i përvojave dhe i profesionistëve të fushat e rinisë dhe të trashëgimisë por edhe të fushave tjera për të fuqizuar bashkëpunimin edhe më tej, përkundër marrëdhënieve të mira që kanë Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë.

Ndërkaq, të pranishmit në takim e falënderuan ministrin Gashi për pritjen dhe u shprehën të gatshëm për të filluar bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve të cilat kanë për qëllim fuqizimin e rinisë dhe kulturës në vend dhe në rajon.

Mysafirët nga Maqedonia e shprehën mirënjohjen e tyre për gatishmërinë e treguar të ministrit Gashi për të mbështetur projektet e përbashkëta dhe bashkërendimin e hapave të mëtejmë në konkretizimin e bashkëpunimit.

loading…