Arben Gashi

Gashi: Pozita ka sabotuar punët me mbikëqyrjen institucionale

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka hedhur akuza ndaj pozitës, duke thënë se ka pamundësuar punët që kanë të bëjnë sipas tij, me mbikëqyrjen institucionale.

Gashi, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se shkaku i pozitës po duhet t’i referohen institucioneve të huaja për problemet e vendit, njofton Klankosova.tv.

“Ky institucion më së paku është institucion përfaqësues, shumë pak është institucion mbikëqyrs, sepse qëllimisht kjo shumicë parlamentare ka pamundësuar funksionin mbikëqyrës të këtij kuvendi, duke sabotuar çdo punë që ka të bëjë me mbikëqyrjen institucionale, njëra prej shtyllave kryesore të parlamentarizmit dhe duke rritur shkallën e mosbesueshmërisë dhe konfliktit brenda këtij institucioni”, u shpreh Gashi.

“Ka krijuar situatë kur flasim për problemet e vendit tonë, tu referohemi institucioneve të huaja, është pamundësuar puna e komisionit hetimore për rezervat shtetërore për gjashtë muaj qëllimisht, është pamundësuar themelimi i disa komisioneve hetimore qëllimisht, është pamundësuar themelimi i komisionit hetimor parlamentar për të hetuar lidhur me djegiet dhe zhdukjen në Qendrën e Mjekësisë Ligjore. Ky është parlamenti që ju udhëhiqni, kjo është shumica parlamentare që ju keni”.