Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Albin Kurti e ka quajtur të paarsyeshëm përdorimin e reciprocitetit si instrument politik. Në KTV, ai ka përmendur dy “gabime” të Kurtit rreth tarifës dhe reciprocitetit.

“E para ishte sjellja arbitrare karshi SHBA-së. Kërkuam shpjegime nga Kurti, por nuk na dha. E dyta ishte vendosja si instrument politik, apo deklarimi si instrument politik i reciprocitetit”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, masat e ndërmarra nga Kurti në këtë drejtim ishin “tipike administrative”.

Teksa e ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, ai ka thënë se është dashur të veprohet “në interes të shtetit të Kosovës”.

“Orientim primar është ruajtja e partneritetit strategjik me partnerët tanë, me të cilët duhet ta arrijmë sigurinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Gashi është pyetur se përse termi “reciprocitet” ka qenë i përfshirë në marrëveshje.

“Është marrëveshje politike që përfshin vullnetin e palëve, për ta trajtuar një çështje politike”, është përgjigjur ai.

Sipas Gashit, kishte angazhim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që tarifa të hiqet, pasi që ajo “binte ndesh” me konceptin evropian.

Sa i përket reciprocitetit, Gashi ka thënë se “nuk mund të ketë kundërveprim, pa pasur veprim”.

“Çështja e masave reciproke nuk duhet të shndërrohet në veprim politik dhe Kurti bëri pikërisht të kundërtën. Ne për katër vitet e ardhshme u pajtuam që do të qeverisim mbi disa shtylla dhe njëra ndër to ishte se kemi qasje reciproke, por kjo nuk nënkupton veprime politike”, ka thënë ai.

Gashi e ka quajtur “të pavërtetë” se s’ka pasur sukses në luftën kundër korrupsionit.

Ai ka thënë se LDK-ja ka propozuar në programin e vet të ketë reformim të drejtësisë.

I pyetur se përse një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë, ai ka thënë se “kanë ndodhur disa procese”.